You are on page 1of 2

Avni KLINAKU

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim


avniklinaku@levizjaperbashkim.com

DEKLARATA SHKURTËPAMËSE E KUVENDIT TË


KOSOVËS
(Millosheviqi vërtet ka vdekur në Hagë, por hijet e tij e të paraardhësve të tij po
vazhdojnë të na ndjekin pas! Në Serbi ai i ka lënë mjetet dhe metodat e tij, ndërsa në Kosovë
fjalorin e tij! Derisa qeveritarët e liderët serbë po vazhdojnë t’i përdorin me mjeshtëri këto
mjete dhe metoda dhe po vazhdojnë të krijojnë situata e realitete të reja të ngjizura me
konflikte për të ardhmen, qeveritarët dhe liderët shqiptarët po i ”vringëllojnë” shpatat e tyre
prej letre dhe po kontribuojnë në mbajtjen e këtyre konflikteve si të ngrira. Në të dyja rastet,
qytetarët janë të vetmit që i vuajnë pasojat.)

Thonë se historia përsëritet. Dhe kur ajo përsëritet, përsëritet në formë tragjikomike.
Rasti tipik i kësaj përsëritjeje është edhe deklarata e parë dhe e vetme e Kuvendit të
Kosovës për veriun e Kosovës. ”Rend kushtetues”, “Integritet dhe sovranitet shtetëror”,
“Tërësi (territoriale) e shtetit tonë”, - janë këta margaritarë të nacionalizmit agresiv shtetëror,
të pluhurosur e të zverdhur, të nxjerrë nga sirtari millosheviqian e të cilët po vazhdojnë të
përdoren akoma në Ballkanin e trazuar. (Kujtojini shprehjet: “Ustavni poredak”, “Državni
integritet i suverenitet”, “Celovitost naše države”). Këtë fjalor e përvetësoi edhe Kuvendi i
Kosovës dhe e sanksionoi në Deklaratën për veriun të datës 3.3.2010. Në të kaluarën
deklaratat e tilla nuk sollën asgjë të mirë në Ballkan, përveç luftërave e konflikteve të
vazhdueshme. Në emër të këtij koncepti Serbia na mbante të pushtuar. Kjo është ana tragjike
e përsëritjes së historisë në ditët tona. Kjo përsëritje e ka edhe anën komike të saj. Qeveritarët
dhe liderët tanë, këta donkishotë të ditëve tona, të pajisur me fjalorin agresiv millosheviqian,
nuk e kanë as dëshirën, as vullnetin, as mundësinë e as të drejtën ta zbatojnë atë që e thonë,
prandaj, duke mbetur të veshur me pajisje luftarake dhe duke mos guxuar ta bëjnë asnjë hap
në këtë drejtim, ata bëhen qesharakë dhe anakronikë në sy të publikut të gjerë.
Qeveritarët dhe liderët tanë në vend që së paku t’i thonë dy fjalë për dhjetëra mijëra
shqiptarë të dëbuar nga trojet e veta në veri të Mitrovicës dhe fshatrave përreth, çështje e cila
ka arritur buzë mbylljes përfundimtare, ata janë “të preokupuar dhe të angazhuar” për kthimin
e rendit dhe ligjit në Leposaviq!!! Qeveritarët dhe liderët tanë në vend se ta aktualizojnë dhe
ta problematizojnë çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar në Preshevë, Bujanoc e
Medvegjë, çështje e cila ka arritur buzë mbylljes përfundimtare, ata janë “të preokupuar dhe
të angazhuar” se si ta kthejnë Zveçanin nën integritetin territorial të Kosovës!!! Qeveritarët
dhe liderët tanë në vend se të përpiqen e ta aktualizojnë çështjen e së drejtës së mohuar të
popullit shqiptar për vetëvendosje e bashkim kombëtar, çështje të cilën po përpiqen ta çojnë
drejt mbylljes përfundimtare (kujto këtu kombin kosovar, kushtetutën, flamurin, himnin etj.!),
ata janë “të preokupuar dhe të angazhuar” se si ta ruajnë integritetin territorial të Kosovës!!!
Pra, në vend se të përpiqen për interesin real të popullit shqiptar e të qytetarit të Kosovës, ata
“përpiqen” për diçka që as nuk arrihet, as nuk është e drejtë!

Prishtinë, Lagjja “Aktash”, Rr. “Agim Ramadani”, Hyrja A-2, Nr. 1, Nr. i tel. 038 223 255,
www.levizjaperbashkim.com
Qeveritarët dhe liderët tanë, me politikën që janë duke e ndjekur, politikë të cilën as
që e kanë zgjedhur vetë, në vend se ta përqafojnë nacionalizmin kombëtar, në vend se ta
ndjekin interesin kombëtar, në vend se të përpilojnë strategji kombëtare për zgjidhjen
përfundimtare të çështjes akoma të pazgjidhur shqiptare dhe kështu popullit të vet t’ia sjellin
lirinë e Ballkanit t’ia ofrojnë paqen, - ata “kanë zgjedhur” nacionalizmin shtetëror, në
kundërshtim me interesin kombëtar dhe “po na përpilojnë” strategji për veriun e Kosovës, e
cila paralajmëron vazhdimin e konfliktit të ngrirë sot dhe ruan tharmin e luftës për nesër!
Për interes të kujt e bëjnë ata këtë? Për interes të qytetarit të Kosovës e të popullit
shqiptar?! Në asnjë mënyrë! Qytetari i Kosovës dhe populli shqiptar nga një politikë e tillë ka
pasur e do të vazhdojë të ketë vetëm shqetësime, vuajtje e varfëri.
Vazhdimi i kësaj gjendjeje do të prodhojë në vazhdimësi jostabilitet, ngrirje të
problemeve të pazgjidhura kombëtare, shkatërrim ekonomik e varfëri të vazhdueshme të
qytetarit, në njërën anë, dhe shpërngulje të shqiptarëve nga trojet e veta në veri të Mitrovicës e
fshatrat përreth, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pra tkurrje të vazhdueshme të hapësirës
territoriale të popullit shqiptar, në anën tjetër.
Kjo po na ndodh sot për sot. Ndërsa, me këtë politikë të qeveritarëve dhe liderëve
tanë, me këtë politikë të fqinjëve tanë, me këtë politikë të bashkësisë ndërkombëtare të
implikuar në Ballkan, me këtë politikë të konservimit të çështjeve të pazgjidhura kombëtare,
po mbillet fara e luftërave të reja shqiptaro-serbe, shqiptaro-maqedonase e madje edhe më
gjerë.
Si përfundim. Qeveritarët dhe liderët tanë (duke përfshirë këtu pozitë e opozitë,
shoqëri civile e individë të ndryshëm të skenës politike) u janë bindur qarqeve të caktuara
ndërkombëtare që në emër të nacionalizmit shtetëror të heqin dorë nga nacionalizmi
kombëtar, që në emër të nacionalizmit të ashtuquajtur kosovar të heqin dorë nga nacionalizmi
shqiptar, që në emër të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës të heqin dorë nga bashkimi
kombëtar, që në emër të Kosovës të heqin dorë nga Shqipëria. Ata harrojnë se KOSOVA KA
QENË, ËSHTË E DO TË JETË SHQIPËRI!

Prishtinë, 7.3.2010

Prishtinë, Lagjja “Aktash”, Rr. “Agim Ramadani”, Hyrja A-2, Nr. 1, Nr. i tel. 038 223 255,
www.levizjaperbashkim.com

You might also like